Biblioteka e gjithë Islamit

42 - The Consultation - Ash-Shūraá

:1

Ha, Mimë.

:2

Ajn, Sinë, Kaf.

:3

All-llahu, fuqiploti, i gjithëdijshmi kështu (këto ajete) të shpall ty dhe atyre që ishin para teje.

:4

Vetëm e Tij është ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe Ai është Mbizotëruesi , i Madhëruari!

:5

Qiejt e lartë mbi ta (ose qiejt njëri mbi tjetrin) gati pëlcasin (nga madhëria e Zotit ose nga thëniet e çoroditura të idhujtarëve). Ndërkaq, engjëjt vazhdimisht madhërojnë (bëjnë tesbih) duke falënderuar Zotin e tyre dhe kërkojnë falje të mëkateve për ata (besimtarët) që janë në tokë. Ta dini se All-llahu është Ai mëkatfalësi, Mëshiruesi!

:6

All-llahu është përcjellës i atyre që, pos Tij, adhurojnë zota të tjerë. Ti (o i dërguar), nuk je i obliguar ndaj tyre.

:7

Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’an arabisht që ta këshillosh kryefshatin (Mekën) dhe ata përreth saj, dhe t’u tërheqih vërejtjen për ditën e tubimit (kijametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në Xhennet, kurse nj grup për në zjarr.

:8

Po sikur të kishte dashur All-llahu, do t’i bënte ata (njerëzit) një popull (të një feje), por Ai shtie në mëshirën e vet atë që do (atë që me vullnetin e vet pranon rrugën e drejtë), e jobesimtarët nuk kanë mbrojtës, as ndihhmës.

:9

Përkundrazi, ata zgjodhën mbrojtjës pos Atij, po vetëm All-llahu është Ai mbrojtësi dhe Ai ngjall të vdekurit dhe Ai ka mundësi për çdo send.

:10

Për çdo send që nuk pajtoheni, gjykimi për të është te All-llahu. Ai (gjykatësi i famshëm) është All-llahu, Zoti im, vetëm Atij i jam mbështetur, dhe vetëm Atij i drejtohem.

:11

Ai është krijues i qiejve e i tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte, edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t’ju shumojë. Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi.

:12

Të Tij janë çelësat e qiejve e të tokës. Ai begaton shumë atë që do dhe nuk begaton (atë që gjithashtu do). Ai është i gjithdijshëm për çdo send.

:13

Ai u përcaktoi juve fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të. Për idhujtarët është rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. All-llahu veçon për të (për besim të drejtë) atë që do dhe e udhëzon atë që i drejtohet Atij.

:14

Po ata, vetëm pasi që u erdhi e vërteta, nuk u përçanë për tjetër, por nga zilia mes tyre. e sikur të mos ishte fjalë (vendimi) e hershme nga Zoti yt për deri në një afat të caktuar do të kryhej (dënimi) me ta. Nuk ka dyshim se ata që e trashëguan librin prej tyre (prej të parëve) janë në dyshim të thellë ndaj tij (ndaj librit Tevratë e Inxhil).

:15

E për këtë shkak (të përçarjes së tyre), ti thirr dhe përqëndrohu ashtu si të është urdhëruar dhe mos shko pas sëshirave e thuaj: “Unë kam besuar në librat që i shpalli All-llahu, jam urdhëruar të mbajë drejtësi mes jush, All-llahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj; Ne kemi përgjegjësinë e veprave tona e ju të veprave tuaja, nuk ka polemikë mes nesh dhe jush; All-llahu bën tubimin mes nesh dhe vetëm te Ai është përfundimi.

:16

Ata që kundërshtojnë fenë e All-llahut pasi që asaj i janë përgjigjur (njerëzit), faktet e tyre janë të asgjësuara te Zoti i tyre, ata janë të përbuzur dhe ata do të kenë dënim të rëndë.

:17

All-llahu është Ai që e zbriti librin e vërtetë dhe drejtësinë. Ti nuk mund ta dish, ndishta çasti i shkatërrimit është afër.

:18

Ata që nuk i besojnë atij, kërkojnë ngutjen e tij, ndërsa ata që i besojnë, i frokësohen dhe e dinë se ajo është e vërtetë. Ta dini se ata që bëjnë polemikë, duke dyshuar në momentin e katastrofës së përgjithshme, janë në një humbje të thellë.

:19

All-llahu është shumë bamirës për robërit e vet; Ai e begaton atë që do; Ai është i gjithfuqishmi, ngadhënjyesi.

:20

Kush është që dëshiron fitimin e botës tjetër (ahiretin), Ne do t’ia shtojmë fitimin e tij, e kush e dëshiron vetëm fitimin e kësaj bote, Ne ia japim, po në botën tjetër ai nuk ka hise.

:21

A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fe, të cilën nuk e urdhëroi All-llahu? Po, sikur të mos ishte fjala vendimtare (e All-llahut që shpërblimi dhe ndëshkimi të jenë në ahiret), dhe do të kryhej dënimi mbi ta, e megjithatë, mohuesit do të kenë dënimi të dhembshëm.

:22

Do t’i shohësh jobesimtarët të frikësuar nga ajo që vepruan, po, ajo do t’u ndodhë atyre, kurse ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e Xhenneteve dhe ata kanë te Zoti i tyre çka të dëshirojnë; e kjo është ajo dhuntia e madhe.

:23

Ajo (dhunti) konsistonnë atë që All-llahu u jep myzhde robërve të vet, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira. Thuaj: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time vetëm respektin e dashurisë për hir të farefisnisë (akraballëkut)”. Kush bën ndonjë të mirë, Ne ia shumëfishojmë të mira; vërtet, All-llahu falë mëkatet, është mirënjohës.

:24

A mos thonë ata se ai (Muhammedi) shpifi gënjeshtër ndaj All-llahut, e nëse dëshiron All-llahu ta mbyllë zemrën tënde, pse All-llahu eliminon të pavërtetën dhe me fjalë e veta e forcon të vërtetën. Ai është që e di çka ka në zemra.

:25

Ai është që pranon pendimin e robërve të vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni.

:26

Ai është që u përgjigjet (lutjeve të) atyre që besuan dhe bënë punë të mira dhe, nga mirësia e vet, ua shton atyre të mirat. Ndërsa, jobesimtarët kanë dënim të rreptë.

:27

Sikur All-llahu t’ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do të kalonin kufijtë, por Ai i furnizon me masë që dëshiron, sepse Ai është i njohur hollësisht dhe i dijshëm për robërit e vet.

:28

Dhe Ai është që e lëshon shiun, pasi që ata t’i kenë humbur shpresat dhe Ai shtrin mëshirën e vet; Ai është mbikëqyrësi i lavdëruari.

:29

Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyjat dhe Ai me fuqinë e Tij mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë.

:30

çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia), e për shumë të tjera Ai u falë.

:31

E ju nuk mund t’i ikni (ta mposhtni) dënimit në tokë dhe përveç All-llahut nuk keni as mbrojtës e as ndihmës.

:32

Dhe nga argumentet (që dokumentojnë fuqinë) e Tij, janë anijet lunduese nëpër det si të ishin kodra.

:33

Nëse do Ai, e ndal erën dhe ato ngelin të palëvizshme mbi sipërfaqen e ujit. S’ka dyshim se këto fakte ekzistojnë për secilin durimtarë e mirënjohës.

:34

Ose i përmbyt ata për shkak të asaj që vepruan, e për shumë të tjera Ai i falë.

:35

Ata që i kontestojnë argumenetet Tona, le ta dinë se nuk kanë shpëtim (nuk mund t’i shmangin dënimit).

:36

çka u është dhënë nga ndonjë send, ajo është kënaqësi në këtë botë, e ajo që është te All-llahu është shumë më e mirë dhe e përjetshme, por pë ata që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i mbështeten:

:37

Dhe ata që u shmangën mëkateve të mëdha e të shëmtuara, dhe kur hidhërohen, ata falin,

:38

Edhe ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne ua japim ata e shpërndajnë,

:39

Edhe ata që kur i godit e padrejta, i kundërvihen.

:40

Ndëshkimi i të keqes, bëhet në të njejtën mas, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është te All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët.

:41

E kush hakmirret për padrejtësitë i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi.

:42

Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm.

:43

Kush bën durim dhe fal, s;ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).

:44

Atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë ndihmës tjetër, pos Tij. Do t’i shohësh zullumqarët që, kur të vërejnë dënimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë për rikthim (në dynja)?”

:45

Do t’i shohësh ata duke iu afruar atij (zjarrit) të frikësuar nga nënshtrimi, se si e shikojnë me bisht të syrit tinëzisht (me një shikim të vjedhur). Ata që besuan do të thonë: “Vërtet, të humbur në ditën e kijametit janë ata që e humbën vetveten dhe familjen e vet!” Ta dini pra, se mizorët janë në dënim të përjetshëm.

:46

Ata nuk kanë mbrojtës që t’u nduhmojë, përveç All-llahut, sepse atë që All-llahu e ka humbur, për të nuk ka rrugëdalje (shpëtim).

:47

Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj para se të vijë një ditë, që All-llahu nuk e kthen më (pasi ta ketë caktuar). Atë ditë ju nuk do të gjeni strehim dhe as nuk do të mund t’i mohoni (mëkatet).

:48

Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dëruar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin. Vërtet, kur Ne i dhurojmë njeriut nga ana Jonë ndonjë të mirë, ai gëzohet për të, e kur i godet ndonjë e keqe, që e ka merituar vetë, atëherë njeriu është përbuzës.

:49

Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetën femra atij që do; e i falë vetëm meshkuj atij që do.

:50

Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm.

:51

Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur All-llahut ndryshe, vetëm se me anën e frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet,Ai është më i larti, më i urti.

:52

Po kështu me urdhërin tonë Ne te shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kur’ani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugë të drejtë,

:53

Në rrugën e All-llahut, të cilit i takon çka ka në qiej dhe çka në tokë, e ta dini se të gjitha çështjet janë në vullnetin e All-llahut.